Ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, dhjetëra qytetarë janë mbledhur sërish sot në Tiranë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, të cilat i cilësojnë abuzive.
Në dallim nga një ditë më parë, numri i protestuesve është më i pakët.
Qytetarët kanë vijuar marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’, në drejtim të kryeministrisë. Në lidhje me planin me 7 pika të propozuar nga kryeministri Edi Rama, për Paketën e Rezistencës Sociale, ato u shprehën se ky është thjeshtë një mashtrim i radhës.
‘Plani me 7 pika është vetëm një mashtrim i radhës. Pensionet janë ku nuk thërret qameti. Me planin e qeverisë nuk është shtuar asgjë. Ato 3 mijë lekë që ka dhënë t’i vijë zor.’- u shprehën disa qytetarë.
