Qyteti japonez Onomichi, në prefekturën Hiroshima të Japonisë , kreu një anketë publike në vitin 2017 që u përdor më pas për të krijuar fletushka për gratë shtatzëna, të shpërndara më vonë për banorët vendas duke nxitur zemërim jo vetëm tek vendasit por madje në të gjithë Japoninë.
“Ka dallime në mënyrën se si burrat dhe gratë ndjehen dhe mendojnë. Një nga arsyet për këtë është ndryshimi strukturor në trurin e burrave dhe grave. Dihet që meshkujt veprojnë në bazë të teorive, ndërsa femrat në bazë të emocioneve. Gjëja e rëndësishme është të kuptojmë dallimet e njëri-tjetrit dhe t’i ndajmë mirë rolet, bashkëshortët dhe baballarët e rinj pëlqejnë të falënderohen për kryerjen e detyrave themelore si larja e enëve, ndërrimi i pelenave dhe mbajtja e fëmijës së tyre. Ka shumë gjëra që nënat e reja mund të bëjnë për t’i kënaqur burrat e tyre, duke përfshirë masazhet, përgatitjen e drekës çdo ditë, trajtimin e kujdesit për fëmijët dhe punët e shtëpisë dhe duke pasur gjithmonë “një buzëqeshje në fytyrë.” shkruhej në fletushka.
Raportet e mediave lokale këtë javë tërhoqën vëmendjen ndaj fletushkave dhe mediat sociale shpërthyen menjëherë në zemërim dhe mosbesim.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Yukihiro Hiratani, publikoi një falje në faqen e internetit të qeverisë lokale duke thënë se fletushkat “nuk ishin në përputhje me ndjenjat e grave shtatzëna, nënave që lindnin fëmijë dhe të tjerëve të përfshirë në rritjen e fëmijëve”.
Ai shtoi se qeveria kishte ndaluar shpërndarjen e fletushkave sepse ato “përmbajnë shprehje që promovojnë qëndrime dhe praktika që prekin rolet gjinore”.
Japonia mbetet një shoqëri kryesisht patriarkale, konservatore, e cila u rendit e 125-ta nga 146 vende në Indeksin e fundit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror. Barazia gjinore e Japonisë në politikë është “një nga më të ulëtat në botë”, me gratë që përbëjnë vetëm 10% të vendeve në parlament citon CNN.