Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët se bonusi i verës është bërë i mundur falë rritjes së të ardhurave në buxhet, të ndikuara edhe nga rritja e çmimit të naftës.
Sipas kreut të qeverisë, mbështetja për pensionistët do të vazhdojë sa herë që ecuria e ekonomisë do ta lejojë.
“Qeveria vendosi të japë një tjetër bonus për pensionistët. Vitin e kaluar u tha se bonusi u dha për fushatë, por këtë vit nuk kemi fushatë. Ky bonus lidhet me angazhimin që kemi marrë për t’ju qëndruar pranë sa herë ekonomia na jep mundësi”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se një nga faktorët që ndikoi në krijimin e hapësirës financiare ishte rritja e të ardhurave nga çmimi i naftës.
“Ka një komponent që nuk e kishim parashikuar, rritja e të ardhurave nga rritja e çmimit të naftës. Rritjen do ta keni ju. Edhe ata që u ankuan për rritjen e çmimit, kanë kontribuar për rritjen tuaj”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se përfitimet nuk do të kufizohen vetëm te pensionistët, por do të shtrihen edhe te personat me aftësi të kufizuara. Ai bëri të ditur se qeveria ka dyfishuar ndihmën ekonomike për këtë kategori, ndërsa i njëjti vendim është marrë edhe për fëmijët me aftësi të veçanta, me zbatimin që do të nisë së shpejti.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se shteti do të marrë përsipër pagesën e barrës financiare për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, një masë që, sipas tij, është parashikuar në buxhet.
