Partia Socialiste ka mbledhur ditën e sotme Asamblenë e Zgjeruar në Fier.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se këto takime shërbejnë jo vetëm për të diskutuar mbi çështje që kanë të bëjnë me organzimin e partisë, por dhe për situatën aktuale të vendit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në nivelin e para krizës.
“Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në Rajon dhe e ka inflacionin sot nën mesataren e BE. Aktualisht jemi me 4.1% dhe sipas BSH vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në nivelin e para krizës.”
Rama u ndal dhe te buxheti, ku u shpreh se do të rishikojnë taksën mbi pagën për ta zbutur, ndërsa theksoi se asnjë taksë nuk do të rritet.
“Buxheti prej 7 miliardësh, 33% e ka për mbrojtjen sociale. Nuk janë vetëm pension, por ndihma ekonomike, pagesat e papunësisë, ish të përndjekurit, ish pronarët dhe bebet. Këtë shtrirje të mbështetjes ky vend nuk e ka pasur asnjëherë më parë. Pastaj ata diskutimet jeni të majtë, janë muhabetet. Mos harrojmë se jemi vend i NATO-së dhe për herë të parë Shqipëria ka 2% të buxhetit për ushtrinë. Asnjë taksë nuk do të rritet, asnjë. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me zero taksë dhe zero tvsh. Dhe ndërkohë jemi diskutuar që edhe nivelin e taksës mbi pagën të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë. Do mundohemi të bëjmë një zbutje dhe të mbetet më shumë te ata që marrin pagën”, tha kreu i qeverisë.