Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi unanimisht të mbështesë propozimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të djegur mandatet e deputetëve.
Vendimin e marrë pas protestës së 16 shkurtit, Basha ua arsyetoi edhe deputetëve të grupit të tij parlamentar, të cilët në mënyrë unanime vendosën të mandatojnë kreun e PD-së për të ndjekur hapat e mëtejshëm drejt finalizimit të këtij akti ekstrem politik.
DISKUTIMET NË GRUPIN E PD
Lulzim Basha: Të nderuar deputetë të Grupit Parlamentar! Zonja dhe zotërinj! Fillimisht, dua t’ju përgëzoj për angazhimin personal të gjithsecilit në aksionin politik përgjatë gjithë këtij muaji dhe protestën e organizuar më 16 shkurt. Bashkimi i qytetarëve në atë protestë duhet lexuar me përgjegjësi dhe pjekuri politike. Unë, angazhimin e qytetarëve në protestën më të madhe që ky vend ka pasur e kam parë si një përgjegjësi të lartë që duhet reflektuar në një vendimmarrje politike. Për këtë arsye, kam vendosur që t’i propozoj sot Grupit Parlamentar djegien e mandateve tona. Ky është një propozim që unë ia bëj grupit, është në dorën e gjithsecilit prej jush të japë opinionin dhe mendimin e tij dhe në fund do të marrim një vendim politik.
Bardh Spahia: Plotësisht dakord me këtë vendimmarrje politike. Ky është një vendim, i cili merret në kushtet e ezaurimit të të gjitha opsioneve dhe rrugëve politike nga ana jonë. Sot vendi gjendet në kushtet e një grushti shteti dhe po rrezikon të rrëshqasë frikshëm në një formë të re diktature apo diktati të krimit të organizuar, i cili kërcënon apo blen votat me paratë e drogës siç është vërtetuar tashmë. Në gjykimin tim, revolta popullore mbetet rruga e vetme.
Ervin Salianji: T’i lëmë sa më parë mandatet, që sot të mos jemi më deputetë. Ajo që sjell ky vendim, më pas është një strategji e re politike. Duhet një angazhim i shtuar i secilit prej nesh në terren dhe me qytetarët. Në momentin që zhvishemi nga mandatet parlamentare, çdo përfaqësues politik i PD-së duhet të punojë 20 herë më shumë se më parë. Gjithsecili, për mua, duhet që këtë vendimmarrje ta shohë si një mundësi të shtuar për të shtuar aksionin e tij politik në raport me qytetarët.
Flamur Noka: Unë e mbështes plotësisht vendimin për lënien e mandateve. Madje, unë jam për një përshkallëzim të këtij vendimi. Pas deputetëve duhet që edhe kryebashkiakët e propozuar nga PD apo edhe këshilltarët bashkiakë që mbajnë logon tonë të dorëhiqen. Duhet që kriza të përshkallëzohet edhe në nivelet vendore që ky njeri të kuptojë se çfarë është duke i shkaktuar këtij vendi.
Albana Vokshi: Ky është një nga vendimet më të rëndësishme që kemi ndërmarrë dhe një rast i pandodhur në historinë e politikës në vend. Por sigurisht është një akt i motivuar. Askush prej nesh nuk duhet të legjitimojë e të jetë fasadë për një Parlament që nuk është legjitim. Kemi 6 vjet që kemi bërë çdo ditë opozitë. Kemi bërë më shumë se çdo opozitë tjetër, nisur që nga dekriminalizimi dhe pastrimi i Parlamentit nga kriminelët, denoncimi i drogës, korrupsionit, etj.. Por gjithnjë e më shumë na janë zvogëluar apo zhdukur hapësirat institucionale. Vetëm javët e fundit ka pasur ministra që kanë ikur në mënyrë arrogante nga komisioni, pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje, e kjo sepse Rama u thotë të bëjnë kështu. Për çfarë duhet ende të qëndrojmë në Parlament kur s’na ka mbetur asnjë hapësirë dhe kemi ezauruar çdo mjet institucional?
Sali Berisha: Absolutisht ky është një vendim i paprecedentë dhe i domosdoshëm në situatën në të cilën ndodhet vendi. Çdo akt që na çon në rrëzimin e Edi Ramës është i vlefshëm. Unë prej kohësh kam bërë thirrje për përmbysje të Ramës përmes të gjitha formave të mosbindjes civile. Ky për të cilin ne po flasim është një akt i paprecedentë, por për shkak të situatës që ekziston s’ka asnjë zgjidhje tjetër. Rama si Kryeministër e meriton ballit. Jo vetëm bojën. Gjuha që përdor ai në Parlament të detyron drejt reagimeve ekstreme. Por interesat e vendit janë më të mëdha se marrëdhënia me një të çmendur. Opozita ka provuar të gjitha format për ta bërë të reflektojë dhe të shkojmë drejt një zgjidhjeje politike, por ai ka refuzuar gjithçka. Duhet të kuptojmë të gjithë diçka. Një kryeministër po të dojë nuk e dorëzon pushtetin. Pra, ka aq mjete në dorë sa të mos e mundësojë dorëzimin e pushtetit për palën kundërshtare. Por është logjika e Kryeministrit dhe maxhorancës që konsumohen, që lejojnë rotacionin politik. Gjë që Edi Rama s’e bën dhe nuk ka për ta bërë asnjëherë se është armik i votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira.
Jorida Tabaku: Në 6 vite opozitë, unë jam përpjekur të jemi institucionalë dhe të jemi në Kuvend të ofrojmë alternativën tonë. Kemi çuar ligje në Gjykatë Kushtetuese, dhe kur na ka dhënë të drejtë përsëri vendimet nuk janë zbatuar nga qeveria, kemi faktuar korrupsion si nga asnjë qeveri tjetër, kemi denoncuar tenderë e koncesione me shifra e fakte, kemi bërë amendamente dhe kemi kërkuar e mbajtur interpelanca, kemi faktuar vjedhjen e zgjedhjeve, krimin e drogën dhe besoj se rrugët institucionale i kemi ezauruar. Ditën e shtunë në protestë, aty kishte përtej njerëzve të PD-së, unë pashë njerëz pa parti, që te ne kërkojnë shpresën dhe dita e shtunë për ne ishte një sinjal që duhet të marrim hapa të tjerë. Koha për hapat institucionale ka përfunduar dhe duhet të veprojmë e të zbatojmë atë që na kërkojnë njerëzit e të jemi me njerëzit. Unë, dy konsiderata dua të kemi parasysh; e para, faktori kohë që ky proces të jetë sa më i shkurtër. E dyta, të koordinojmë me aleatët. Kam insistuar gjithmonë për terrenin dhe për programin dhe në këtë kohë ne duhet të jemi me njerëzit e të flasim për alternativën tonë.
Luçiano Boçi: Kjo situatë për mua është e njëjtë me atë të para vitit 1992. Edhe nëse ka njerëz që duan të mos e dorëzojmë mandatin do të kishim një situatë të ngjashme me atë të Parlamentit të Frontit Demokratik dhe Bashkimeve Profesionale. Pra, do të ishte një situatë ku vullneti popullor dhe konfigurimi i Parlamentit do të ishin në kontrast të fortë me njëra-tjetrën.
Enkelejd Alibeaj: Ky vendim është i imponuar dhe plotësisht i drejtë pasi është sugjeruar me forcë nga shqiptarët në protestën e 16 shkurtit. Sigurisht që në aspektin ligjor është një vendimmarrje e fortë dhe e pandodhur më parë, por pa diskutim e domosdoshme. Jam i bindur se për këtë vendimmarrje do të kemi kundërshti të forta, fillimisht, nga faktori ndërkombëtar. Por duke i shkuar deri në fund këtij aksioni politik, do të kuptojnë se edhe vetë ndërkombëtarët do të jenë në krahun tonë. / PANORAMA