Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për financimin me 4 milionë euro të koncertit të artistit Kanye West, duke e cilësuar ndërhyrjen e qeverisë si të domosdoshme për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë dhe për të garantuar zhvillimin e një eventi me ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe turistik.
Sipas Ramës, koncerti pritet të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare përmes rritjes së numrit të turistëve, konsumit dhe rezervimeve në hotele e struktura të tjera akomoduese.
Kreu i qeverisë e krahasoi ndikimin ekonomik të këtij eventi me finalen e UEFA Europa Conference League, e cila, sipas tij, solli rreth 160 milionë euro të ardhura për ekonominë e vendit.
Rama akuzoi kritikët se po manipulojnë opinionin publik duke e paraqitur koncertin si një aktivitet privat dhe duke pretenduar se fondet janë përdorur në dëm të sektorëve të tjerë, përfshirë shëndetësinë.
Ai theksoi se qeveria ka miratuar së fundmi fonde shtesë për ilaçet e pacientëve me kancer, pajisjet mjekësore, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me aftësi të veçanta, programet për startup-et, biznesin dhe bonusin për pensionistët.
Në përfundim të reagimit, kryeministri deklaroi se kundërshtarët politikë po përpiqen të pengojnë zhvillimin e vendit, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën e saj drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.
