Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët për sfidat e bashkive u ndal tek niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse si kanalet e kullimit, argjinaturat dhe hidrovoret duke theksuar se “nga Emiratet e Bashkuara është siguruar një fond prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural”.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “niveli i rezistencës së infrastrukturës është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon që ka pika ku rezistenca është më e dobët dhe për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturë mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore”.
“Një nga gjërat që ka propozuar ministri Demo dhe ka gjetur mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe të funksionojnë sipas nevojave të bashkive”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë përmendi si eksperiencë pozitive, projektin pilot të Fondit të Zhvillimit në qarkun e Dibrës ku është krijuar një shoqëri e përbashkët dhe ku është vënë në funksion një flotë e dedikuar qoftë për pastrimin e kanaleve kulluese qoftë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe shtrimin e rrugëve të bardha.
“Ka funksionuar më së miri dhe tani është koha që me këtë fond ne ta rrisim kapacitetin dhe të krijojmë një logjistikë që të jetë në dispozicion të bashkive sipas qarqeve”, vijoi Rama.
Kjo flotë, vijoi Kreu i Ekzekutivit, mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe në këtë mënyrë bashkitë do të ndjehen më të gatshme për ta përballuar emergjencën.
“Në ditët e punës normale do të jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar e mirëmbajtur sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.
Kryeministri Rama informoi se “është ministri Demo që do ta çojë përpara këtë projekt duke bashkëpunuar ngushtësisht me FSHZH dhe duke bërë një shpërndarje racionale të këtyre mjeteve që të jenë të stacionuara në të gjitha qarqet sipas nevojave dhe në kohën e emergjencave të mund të rialokohen aty ku është fronti më i vështirë”.
