Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se hidrovoret kanë qenë në funksion të plotë dhe falë tyre janë parandaluar pasoja më të rënda që mund të vinin nga situata e motit të keq.
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Rama u ndal te akuzat e opozitës ndërsa solli në vëmendje investimet e kryera gjatë viteve të fundit.
“Aleatët politikë të shiut shpresojnë që çdo ngjarje e natyrës do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë. Kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim, duke evaduar sasi të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve”, tha Rama.
Rama tha se deri tani shkarkimet nga HEC-i i Vaut të Dejës kanë qenë të kontrolluara dhe niveli i lumit Buna nuk ka arritur nivelin kritik duke shmangur në këtë mënyrë daljen nga shtrati dhe përmbytjen masive të zonës së Nënshkodrës”.
“Nuk ka ndodhur si në kohërat kur qeverisnin aleatët e shiut dhe ajo zonë përmbytej rregullisht edhe pa nevojën e reshjeve të mëdha të kësaj natyra. Shkodra ka qenë qarku më i prekur nga reshjet me vlera shumë të larta në disa stacione ku janë regjistruar shifra konstante mbi 200 mm në 24 orë”, shtoi Rama.
