Për kryeministrin Edi Rama Shqipëria është e para në rajon për para të investuara në sektorin e Bujqësisë. Këtë deklaratë Rama e bëri nga Universiteti Bujqësor i Tiranës ku u ndal tek programi për naftë falas nga i cili tha se kanë përfituar 20 mijë fermerë.
Rama u shpreh se në katër vitet e ardhshme Shqipëria do të shkojë në kufirin e 1 miliard eksporteve bujqësore, nga 400 që është sot, ndërsa shtoi se do të bëhen përpjekje për të rritur interesin e të rinjve për Universitetin Bujqësor, i cili deri më sot sipas tij, është parë me paragjykim.
“20 mijë fermerë kanë përfituar nga procesi. Sistemi i shpejtë dhe transparent i krijuar nga E-Albania funksionon për këdo që dëshiron të punojë dhe këdo që beson te ky sistem pavarësisht nëse është në qytet apo fshat. Kemi provën se në pak minuta me vetëm një dokument mund të aksesohet fondi i naftës pa akcizë dhe pa taksë karboni. Besoj shumë që UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do shkojë duke u zhvilluar.
Jemi në kushtet ku Shqipëria ka hyrë në një tjetër hapësirë financimi dhe nga vendi i fundit që ishte në të gjithë rajonin tonë për thithje të fondeve, sot është në vendin e parë. Jemi vendi i parë në rajon për para të miratuara për Bujqësinë. Këto para kërkojnë dije për t’u marrë përmes projekteve të mirëshkruara ku përveç asaj që shkruan duhet të prodhosh. Që një sipërmarrje të funksionojë duhet të kesh njerëz të ditur. Eksperienca të harmonizohet me dijet. Performanca e këtyre sipërmarrjeve duhet të shkojë duke u rritur që të justifikojë kërkesën për fonde.
Kemi vendosur një objektiv ambicioz për të shkuar në katër vitet e ardhshme në kufirin e 1 miliard eksporteve bujqësore. Sot jemi në 400. Dhe sot ne kemi mundësinë të synojmë për shumë më lart. Nëse e nisëm me 150 mln dhe vajtëm 400, kemi mundësinë ta çojmë në 1 mld. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që nëse i shfrytëzon si duhet asetet në fshat, të bëhet kampion në rajon. Sot ne jemi të parët në rajon. Kemi kaluar edhe Serbinë që është edhe vend i madh”, u shpreh Rama. m.v/abcnews.al
