Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit deklaroi se pr.buxheti i vitit 2026, është historik. Ai u ndal te të dhënat e publikuara nga Eurostat dhe Banka e Shqipërisë në raport me varfërinë, të ardhurat, dhe ndryshimin e peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare.
Kreu i qeverisë deklaroi se sipas Eurostat, Shqipëria ka nivel më të ulët rreziku për varfëri se Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Turqia.
“Varfëria dhe të ardhurat, pikërisht këtu, tek raporti me varfërinë qëndron dhe arsyeja pse jemi në mandatin e 4-të. Shqipëria është më pranë mesatares së BE-së në këtë aspekt”, deklaroi Rama.
Ky i fundit theksoi më tej se duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e disponueshme reale të familjeve shqiptare janë rritur mesatarisht 4-5% në vitet 2021-2024.
“Ndryshimi i peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare i cili ishte afro 50% si peshë në buxhet kur kemi marrë detyrën dhe sot është nën 40%. Sipas BSH të ardhurat e disponueshme reale të familjeve shqiptare janë rritur 4-5% në vit në 2021-2024. Po e mbyll me FMN-në i cili jo më larg se pak ditë më parë tha: Shqipëria është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë, me politika fiskale dhe monetare të kujdesshme”, shtoi Rama.
