Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është rikthyer sërish situatës në veri të Kosovës.
Gjatë darkës së shtruar për përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Rama tha se Kosova është liruar një herë e përgjithmonë nga Beogradi dhe se nuk ka kthim pas.
“Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë.
E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit”, vijoi Rama.
Rama u shpreh se Shqipëria do të mbetet gjithnjë e me vendosmëri krah Republikës së Kosovës çdo here që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme.
