Këtë të shtunë, më 25 prill, kryeministri Edi Rama ka mbledhur Asamblenë e Partisë Socialiste në Dibër, ku më herët zhvilloi dhe një takim me fermerët.
Fjalën i pari në Asamble e mori deputeti socialist dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili përmendi “Rrugën e Kombit“, duke thënë se dibranët do t’i mbeten përjetë mirënjohës kryeministrit.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vitet e ardhshme do të jenë vite të një rilindjeje të re për Dibranët. Madje edhe për rikthimin e emigrantëve në vend.
“Pasuria e patundshme e banorëve, trashëgimtarëve të kësaj zone është rritur. Është rritur në vlerë toka, është rritur metri katror, kërkesat për të ndërtuar në Peshkopi dhe në këtë territor që deri dje ishin minimale sot janë rritur dhe kushtet për të sjellë më shumë investime nga fitimet dhe kursimet e djemve dhe vajzat e këtij territori në emigracion janë më të mira se kurrë.
Ndaj kam besim se këto vite do jetë vite të një rilindje tjetër të kësaj zone edhe në aspektin e ripërtëritjes sa i përket popullsisë, sepse një tendencë që ka filluar, psh në Berat janë regjistruar më shumë kthime se largime, jam i bindur se është një tendencë që do të ndodhë edhe këtu.”, tha Rama duke shtuar se Dibra, një qark shumë afër Tiranës “është jastëku i kryeqytetit”.
Jo vetëm “Dibra Origin”, një SHBB e dytë po krijohet
Pasi përmendi krijimin e shoqërisë së parë, të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) të fermerëve dibranë dhe bashkisë Dibër për qershitë të quajtur “Dibra Origin”, Rama ndau lajmin se një tjetër shoqëri e dytë është duke u krijuar.
“Nuk është vetëm një! Është edhe një shoqëri tjetër në krijim e sipër. Ky fenomen i vonuar për hir të së vërtetës, por më mirë vonë se kurrë i bashkimit të forcave në fshat, është dëshmi e mirë e punës shumë të mirë që po bën ministri i Bujqësisë.”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, ky lloj bashkimi mes fermerëve është shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit të BE-së.
Duke u ndalur një këtë temë, anëtarësimin e konsideroi si një mision kombëtar, ndërsa shtoi se “Vetëm PS mund ta kryejë këtë mision kombëtar. Asnjë forcë tjetër politike e pseudopolitike, apo forcë tjetër rreth e rrotull politikës nuk e ka kapacitetin ta bëjë këtë përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë.”
Ai u shpreh se misioni për ta çuar Shqipërinë dhe për ta ulur në tryezën e përbashkët të Europës, është në fazën finale.
“Opozita e verbuar! Po i turret vendit të vet, kërkon bllokimin e procesit të integrimit”
Mes të tjerash, kryeministri Rama akuzoi opozitën e nuk po lë fjalë të keqe pa thënë për Shqipërinë në takimet në Bruksel.
Madje ai tregoi se si miq të huaj, i janë shprehur të habitur për këtë fakt.
“Nuk e gëlltit dot faktin që ne jemi të pamposhtur! Nuk e gëlltit dot faktin që ne nuk na mundin dot dhe kjo që i çon në verbëri, i çon në gjëra që janë shumë të vështira, në mos të pamundura, sesi mund të degradojë njeriu publik, në pikën që t’i turret vendit të vet, jo ne, vendit të vet! Dhe po ju them që më ndodh, nuk di çfarë të them! Por ndihem keq. Pavarësisht se nuk më drejtohen mua, apo ju, kur miq të huaj më thonë, ‘ore si ka mundësi, që vijnë nga Shqipëria, njerëz, që përfaqësojnë popullin shqiptar që janë në anën tjetër, që nuk lënë gjë pa thënë, nuk ndalen së kërkuari nga ne që të bllokojmë Shqipërinë.”, u shpreh kryeministri. Ai mori rastin e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, duke thënë se për këtë çështje, pavarësisht përplasjeve të forta të palëve politike nuk ka ndodhur asnjëherë “të bëjnë copash vendin e vet” nëBruksel.
