Kryeministri Edi Rama ka thirrur këtë të mërkurë në takim të gjithë drejtuesit e rinj të degëve të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu nevojën e mobilizimit të forcave për të qenë një parti zëdhënëse e shumicës qeverisëse në territor. Sipas tij, PS ka nevojë për persona që sjellin një frymë të re brenda partisë, por jo për të rinj që brenda pak kohësh, bëhen më të vjetër se vetë partia.
“Të jemi një parti llogari kërkuese në funksion të adresimit të halleve dhe shqetësimeve. Kemi një parti që përçon qoftë shqetësimet dhe qëllimet dhe vendimet e rëndësishme të shumicës qeverisëse, dhe nga ana tjetër shqetësimet, kërkesat dhe hallet e njerëzve që i besojnë kësaj shumice. Të jetë një parti e territorit. Të jemi një parti e mbyllur brenda një rrethi njerëzish që bëjnë çmos të zgjidhen, dhe pastaj rrinë vetëm me njëri-tjetrin. Pastaj bëhen si grup shokësh që mblidhen për të pirë kafe. Kjo është gjëja që unë besoj, përveç të tjerash. Ka të ngjarë që të shtyjnë të rinjtë të kandidojnë me idenë ta ndryshojnë këtë gjë. Bindja ime ka qenë që cilido që merr përsipër një përgjegjësi të tillë, duhet të ketë ambicien që t’i japi diçka të re partisë. Jo të jetë një i ri që për pak muaj bëhet më i vjetër se vetë partia, që merr më shpejt hilet se sa rregullat.”