Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Durrësit.
Ky takim do të fokusohet në një sërë temash kyçe që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e territorit dhe mirëqenien e qytetarëve:
- Granti i Performancës dhe treguesit e financave vendore – si instrument për të lidhur performancën me financimin.
- Paketa e Maleve – një ligj i ri për nxitjen e investimeve në zonat malore dhe agroturizëm.
- Legalizimet dhe regjistrimi fillestar i pronave – përshpejtimi i proceseve në bashkëpunim me bashkitë.
- Ligji për Administrimin e Bashkëpronësisë – sfida dhe detyra për garantimin e cilësisë së jetës në hapësirat e përbashkëta.
- Roli i bashkive në procesin e integrimit evropian – ngritja e kapaciteteve dhe aksesi në fondet e BE-së.
- Bujqësia 2030 – politikat e reja të mbështetjes për sipërmarrjet bujqësore në nivel vendor.
Takimi vjen në një moment kur vendi ndodhet në kulmin e sezonit veror, me një rritje të ndjeshme të fluksit turistik dhe sfida të shtuara për menaxhimin e territorit, shërbimeve publike dhe infrastrukturës vendore.
Gjatë ditëve të fundit Rama ka kërkuar ndryshime në menaxhimin e qeverisjes vendore, duke kritikuar problematikat në disa qytete si Tirana, Vlora, Fieri apo Shkodra.
