Ditën e nesërme, të martën (11 qershor), Partia Socialiste do të thërrasë Asamblenë Kombëtare. Në fokus janë zgjedhjet e përgjithshme në parti. Në agjendën e zbardhur nga A2 CNN, mësohet se mbledhja do të nisë me fjalën e kryeministrit Edi Rama, për të vijuar më pas me raportimet e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve në parti.
Gjithashtu në këtë mbledhje, do të miratohen edhe projekt vendimet mbi thirrjen e Zgjedhor të Partisë Socialiste, përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës të PS.
“Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftoj se më datën 11.06.2024, ora 17.00, zhvillohet online mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme në parti, Blendi Klosi.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste”
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës të PS”.
Miratimi i Projekt Vendimit “Për zgjedhjen e anëtarëve të Përfaqësisë, të Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe të Komisioneve të Votimit e të Numërimit të Votave të Kongresit të PS.
Të ndryshme”, thuhet në agjendë.
Kujtojmë që në mbledhjen e kaluar, kryeministri Edi Rama pati shumë kritika për të tijët, mes tyre ish-ministren e jashme, Olta Xhaçka apo edhe deputetin Etjen Xhafa.