Në konferencën për shtyp me shefin e Diplomacisë së BE-së Josep Borrell dhe komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, kryeministri Edi Rama falenderoi dy zyrtarët e BE-së për mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në bllok.
Po ashtu Rama theksoi se Shqipëria nuk është më e fundit në “trenin e integrimit”, por tashmë kryeson në rajon.
“Mirënjohje për mbështetjen që kemi marrë prej jush në një proces që ka qenë tejet i vështirë dhe në një periudhë kohe të shkurtër. Shumë i padrejtë ndaj Shqipërisë, për arsye të konjukturave politike që tashmë që janë kapërcyer. Na keni dëshmuar respekt, përkushtim dhe vullnet të palëkundur për të na mbështetur në këtë rrugë që tanimë është e çelur, e drejtë dhe jo pa vështirësitë e veta. Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënie strategjike”,-tha Rama.