Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, duke kërkuar votim në bllok për largimin e tij. Duke e quajtur një personazh groteskt që turpëron Shqipërinë, Rama tha se shkarkimi nuk ka lidhje me arsyet politike, por PS është renditur me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që nuk duan ta shohin më Metën President.
“Me Ilir Metën dhe partinë e tij nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkim. Ilir Meta duhet të shkarkohet nga detyra si personifikim i antishtetit i ndëshkuar nga populli shqiptar më 25 prill. një personazh groteskt që turpëron Shqipërinë shoqërinë shqiptare e çdo qytetar normal me praninë e tij në krye të shtetit. Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithë në dorën tonë, këtë e dimë, po do bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta çminuar duke votuar në bllok shkarkimin”, tha Rama.
Ai tha se presidenti i ri do të zgjidhet në konsultim me Partinë Demokratike. “Shumë herë është folur për zëvendësuesin e tij, por në çdo rast, ne do të konsultohemi me PD për emrin e Presidentit të ri. Partia Socialiste ka mundësinë historike që në mnadatin e tretë ta çoj Shqipërinë në një vend tjetër realisht për tu bërë gati për majën që Shqipëria duhet të ngjitet brenda kësaj dekade”, tha ai më tej.
