Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, ndau në rrjetet sociale fotoalbumin e aktivitetit të organizuar mbrëmjen e djeshme me rastin e 35-vjetorit të krijimit të PS-së.
Në aktivitetin e zhvilluar në sheshin “Italia” në Tiranë, Rama në fjalën e tij theksoi se “jemi këtu për Shqipërinë dhe Shqipëria e 2030-ës do të jetë në Bashkimin Europian”.
“Shqipëria 2030-ës do të jetë vendi për të cilin ne të gjithë do të jemi krenarë. Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe shqiptarët i kanë besuar udhëheqjen e tyre drejt asaj maje. Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje. Ky vend s’ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt”, tha Rama.
Në fjalimin para mbështetësve, Rama u ndal edhe tek çështja e investimeve të propozuara në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, duke i konsideruar ato pjesë të projekteve që synojnë zhvillimin turistik dhe ekonomik të vendit.
Ai theksoi se këto nisma po shoqërohen me diskutime publike, por që sipas tij, duhet të vlerësohen mbi bazën e interesit afatgjatë të ekonomisë.
Kreu i Ekzekutivit u shpreh se PS gjatë mandatit të dytë dhe të tretë e ka çuar në thuajse 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se në Shqipëri një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur.
