Për kërcënimin që po i bën lufta në Ukrainë të gjithë botës, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane ”Der Spiegel”, tha se duhet të bëhet kujdes pasi ndikimi i Rusisë në Beograd është i madh dhe mund të shndërrohet në diçka të tmerrshme. Për të Putin hedh provokime të vazhdueshme, por do të bëjnë të pamundurën për të parandaluar konfliktet. “Putini do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan. Shefi i Kremlinit ngacmon dhe provokon kudo që të mundet. Në fjalimet e tij, Putin vazhdimisht i referohet Kosovës, problemit më të dhimbshëm nga problemet e pazgjidhura në Ballkan. Duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe”.
Pjesë nga intervista
Der Spiegel: Lufta në Ukrainë ka ndryshuar botën dhe tani po kërcënon paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor. Sa e thellë është kjo ndarje?
Edi Rama: Shumë e thellë. Më shumë se 80 për qind e serbëve mendojnë pozitivisht se si Putin po kundërshton aktualisht Perëndimin, por në Shqipëri popullariteti i tij është më pak se një për qind. Ky është rezultati i një sondazhi të kryer nga qeveria jonë, menjëherë pas fillimit të luftës. Ndikimi i Moskës në Serbi është i fortë, në pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës është madje shumë i fortë. Rusia ka shumë ndikim te serbët. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky ndikim mund të shndërrohet në diçka të tmerrshme.
Der Spiegel: Për çfarë duhet të jemi të përgatitur?
Edi Rama: Putini do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan. Shefi i Kremlinit ngacmon dhe provokon kudo që të mundet. Në fjalimet e tij, Putin vazhdimisht i referohet Kosovës, problemit më të dhimbshëm nga problemet e pazgjidhura në Ballkan. Duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe.
Der Spiegel: Çfarë këshilloni ju?
Edi Rama: Nuk mund të kërkosh shumë nga Beogradi tani. Gjithçka mund të përmbyset. Serbia, për shembull, nuk mund të sanksionojë Rusinë.
Der Spiegel: Putinit i pëlqen të përdorë historinë e Kosovës si shabllon për pushtimin e Krimesë, Donjetskut dhe Luhanskut. A ka ai si pikë faktet që NATO bombardoi Beogradin dhe pushtoi Kosovën pa mandat të OKB-së?
Edi Rama: Arsyeja e vetme që nuk kishte mandat ishte se Rusia dhe Kina votuan kundër. Aneksimi i Krimesë ndjek një model imperialist, si sulmi ndaj Ukrainës, një vend sovran dhe demokratik. Bombardimi i Beogradit dhe çlirimi i Kosovës në atë kohë, nga ana tjetër, i shërbeu qëllimit për të shpëtuar popullsinë nga spastrimi etnik. Dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më në fund konfirmoi pavarësinë e Kosovës si akt të së drejtës ndërkombëtare.
Der Spiegel: A ka ndryshuar asgjë në të vërtetë në Ballkanin Perëndimor në njëzet vitet e fundit?
Edi Rama: Ballkani ka qenë gjithmonë një vend i tensionuar, ai është i brishtë. Por, unë pretendoj se situata është më e mirë sot se në çdo kohë tjetër.
Der Spiegel: Si mund të përcaktohet kjo?
Edi Rama: Me gjithë mosmarrëveshjet, gjashtë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që nga një takim në Berlin në 2014 se ne duhet ta kthejmë rrjedhën e historisë së bashku. Duhen hapa të vegjël për të ndërtuar një marrëdhënie më të madhe, ashtu si gjermanët dhe francezët lëvizën ngadalë drejt paqes së plotë pas Luftës së Dytë Botërore.
Der Spiegel: A vlen kjo edhe për marrëdhënien tuaj me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç?
Edi Rama: Absolutisht. Historia e shqiptarëve dhe e serbëve është histori dhimbjeje dhe gjaku. Por, kur u zgjodha kryeministër, vendosa të shkoj në Beograd. Vizita ime në vitin 2014 ishte e para e një kreu të qeverisë shqiptare në Serbi pas 68 vjetësh. Dhe pastaj Vuçiç erdhi në Tiranë. Kjo tregon se sa larg kemi arritur.