Kryeministri Edi Rama mori pjesë në paradën ushtarake të zhvilluar në Paris me rastin e Festës Kombëtare të Francës, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.
Gjatë ceremonisë në bulevardin Champs-Élysées u valëvit edhe flamuri shqiptar. Kreu i qeverisë ndau pamje nga parada në rrjetet e tij sociale.
Një ditë më parë, Rama mori pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, ku riafirmoi angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e vendit për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si edhe në koordinim me aleatët dhe partnerët euroatlantikë.
Pas përfundimit të vizitës në Francë, kryeministri do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave në kuadër të procesit të integrimit evropian.
