Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë mbrëmjen e djeshme në festivalin “Vajza Fest”, që u zhvillua në fshatin Vajzë të Selenicës, në edicionin e katërt të tij.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ish-Presidenti Bamir Topi, si dhe personalitete të tjera nga politika dhe jeta publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk i kurseu batutat dhe komentet me humor për të pranishmit, ndërsa falënderoi kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për ftesën.
Rama tha se këtë herë kishte vendosur ta pranonte ftesën, pasi katër vite nga krijimi i festivalit ishin të mjaftueshme për të dëshmuar se ideja kishte funksionuar.
“Në radhë të parë dua të falënderoj Sokolin, i cili më dërgoi ftesën dhe këtë herë nuk refuzova, duke qenë se tanimë siç e tha edhe gjykatësja e cila kur jep gjykimin e ka të formës së prerë, 4 vjet janë mjaft për të pasur besim që ideja funksionon. Kështu që besoj se është radha e duhur për të ardhur dhe për të dëshmuar bashkë me të tjetrën, suksesin e një ideje të lindur 4 vjet më parë”, tha Rama.
Më pas, kryeministri përshëndeti ish-Presidentin Bamir Topi dhe personalitetet e tjera të pranishme, duke vijuar me batutat.
“Dua të përshëndes Presidentin Topi, bashkë me prefektin e Tiranës që s’e kuptova pse është këtu, por mik i vajzës me siguri. Dua të përshëndes edhe kryetarin e KOKSH Fidel Ylli, edhe ky mik i vajzës patjetër. Dua të përshëndes kryetarin e bashkisë Nertilin, dhe dua ta falënderoj për vajtjen e detit në maj të malit me ujin e kripur bashkë, dua të përshëndes dhe ministrin e Pushtetin Vendor që është i pranishëm për të parë si funksionon bashkia Selenicë. Faleminderit edhe gjykatëse që ishte impresionuese nga fillimi, me një veshje jo tipike për një person që ka kaluar Vetingun”, u shpreh Rama.
