Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me drejtues të bizneseve të vogla ku foli për situatën e krijuar nga lufta dhe për pasojat dhe masat që po merr qeveria.
Rama sqaroi qytetarët se të gjithë ata që përdorin linjat urbane, ndërurabe nuk mund të kenë çmimin e biletës të rritur sot, do ta paguajë qeveria. Direkt 5 milonë dollarë vetëm për këtë punë.
““Ne jemi këtu edhe për transportin tuaj. Ju nuk vini këtu, se këtu nuk është qendra e Tiranës, ju nuk vini këtu me vetura, ju vini këtu me fugon, vini këtu me autobus, nuk e di si e keni të organizuar transportin, mbase e garanton kompania por ka shumë e shumë si ju që marrin autobusin dhe ne jemi këtu që të mos ju rritet çmimi i biletës. Prandaj kemi vendosur në këtë paketë rezistence, 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, që ju të vazhdoni të paguani të njëjtin çmim dhe ne qeveria paguajmë pjesën tjetër dhe ju nuk e ndjeni fare rritjen”, tha Rama në një takim me bizneset.
Sipas tij, fermerët do të marrin më shumë naftë pa taksa fare. “Shkojnë në 14 milionë dollarë mbështetja e qeverisë për këtë gjë. Do të indeksojmë menjëherë pensionet, pra direkt 36 milionë dollarë për të gjithë pensionistët dhe 200 milionë dollarë të tjera janë mburoja financiare e çmimit të energjisë”, theksoi ai.
Gjithashtu, Rama u shpreh se janë pezulluar të gjithë llojet e tenderave për pajisje për kompjutera për zyra dhe disa investime të tjera.
“Edhe ne, që nga unë i pari, të gjithë ministrat, të gjithë funksionarët që kanë vetura për shkak të punës do të paguajnë nga xhepi i tyre mbi 50% të shpenzimit. Pra, shteti do ta uli 50% shpenzimin për naftë për makinat. Këtë gjë do ta bëjë edhe parlamenti”, tha Rama.
