Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti “Smart City” është përgjigjja sistemike e qeverisë ndaj vrasjes tragjike të nxënësit Martin Cani, ngjarje që, sipas tij, tronditi mbarë vendin dhe nuk duhet të harrohet.
Gjatë prezantimit të projektit, Rama u shpreh se sistemi i ri teknologjik synon ta çojë parandalimin e krimit në një nivel tjetër, duke rritur sigurinë e fëmijëve dhe duke parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën ‘Fan Noli’, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë psikologjike me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut”, tha Rama.
Kryeministri kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, u trajtua ngjarja në opinionin publik dhe në media, duke thënë se Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u bënë objekt spekulimesh dhe fabrikimesh.
“Ndërkohë Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, sajesave dhe fabrikimeve që zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët dhe gjithë opinionin publik. Unë nuk e kam harruar, siç nuk e kam harruar as ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi”, u shpreh ai.
Rama theksoi se projekti “Smart City” përfaqëson një reagim konkret të shtetit ndaj kësaj ngjarjeje, duke krijuar një mekanizëm të avancuar teknologjik që do të ndihmojë në identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve përpara se ato të shndërrohen në tragjedi.
“E rikujtoj çdo ditë. Ky projekt është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie. Një shtet matet me mënyrën se si reagon ndaj çdo gjëje që ndodh. Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemi. Ai do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, sepse ky mekanizëm i sofistikuar teknologjik do ta ngrejë parandalimin në një nivel tjetër”, deklaroi kryeministri.
