Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një ndryshim në mënyrën se si do të kryhen inspektimet ndaj bizneseve, duke kërkuar që kontrollet të mos kenë si synim ndëshkimin e sipërmarrësve, por orientimin dhe ndihmën e tyre për korrigjimin e shkeljeve dhe përmbushjen e standardeve.
Pas takimit me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula, Rama theksoi se duhet të ndryshojë edhe qasja ndaj masave ndëshkuese.
Sipas kryeministrit, gjoba duhet të jetë masa e fundit dhe jo një instrument presioni ndaj sipërmarrësve. Ai kërkoi gjithashtu që asnjë kontroll rutinë të mos kryhet pa paralajmërim.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. Nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se objektivi nuk duhet të jetë kapja e subjekteve në shkelje, por ndihma ndaj tyre për përmirësimin e aktivitetit dhe respektimin e standardeve.
“Gjoba është arma e fundit, jo e para. Kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit”, u shpreh ai.
Rama paralajmëroi gjithashtu se inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente trupore dhe do të mbajnë uniformë, duke argumentuar se kjo do të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi mënyrën e ushtrimit të detyrës.
Sipas tij, çdo sipërmarrës që përballet me një inspektim rutinë pa paralajmërim duhet ta denoncojë menjëherë pranë Inspektorit të Përgjithshëm.
