Dy luftat në botë, ajo e Rusisë në Ukrainë, e tashmë edhe ajo mes Izraelit dhe Hamasit, për kryeministrin Edi Rama kërkon me domosdoshmëri forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe liderët e rajonit, kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk duhet harruar se Ballkani Perëndimor është një rajon jo vetëm multietnik, por edhe multifetar ndaj “ndikimet negative të atij konflikti (Izrael-Hamas) nuk janë të përjashtuara”.
Fjala e plotë në konferencë
Falënderoj Kryeministrin Kovaçevski për ftesën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-S për angazhimin dhe mundësimin e këtij takimi, i cili është i pari i këtij lloji në përfundim të turit të Sekretarit të Përgjithshëm në rajonin tonë dhe dëshiroj të bëj me dije që Sekretari i Përgjithshëm e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-S me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-S në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATOS, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme, si edhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin meqë kanë një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe për progresin demokratik të rajonit.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike, e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet.
Për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numër të forcave të NATO-S në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik, me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend, për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-S në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët.
Edhe njëherë faleminderit i dashur Dimitër, faleminderit i dashur Jens për këtë mundësi që të ndajmë së bashku këto shqetësime, ndërkohë që Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 %, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona, për të rritur efiçencën e forcave tona të armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.
