Kryeministri Edi rama, ka folur në seancën e sotme plenare në Kuvend edhe përsa i përket çështjes së Presidentit të ri të Republikës, ku tha se Partia Socialiste nuk ka për qëllim të zgjedhë asnjë nga Grupi i saj Parlamentar. Kreu i qeverisë i’u drejtua opozitës duke i thënë se nga ata as që bëhet fjalë.
“Asnjë shumicë në botë nuk bën një dhuratë bujare sa ne, që bëmë Ilir Metën President. Sot ne jemi përpara një procesi tjetër dhe me gjithë vështirësinë shumë të madhe që na është krijuar për shkak të situatës suaj, gjithsesi ne kemi ngritur një përfaqësi të përbërë nga kreu i grupit, sekretari i përgjithshëm, ministrja për parlamentin për të komunikuar me të gjithë pjesët e këtij kuvendi. Kur them pjesët, flas për grupet parlamentare se ka dhe pjesë që s’kanë grupe. Do ta bëjmë këtë përpjekje jo se jemi të detyruar nga ndonjë pamundësi, por sepse këta jemi ne. Për hir të së vërtetës kjo është ADN-ja e PS-së. Po të shikosh të gjithë historinë e marrëdhënieve politike ndërpartiake të këtyre 30 vjetëve do të shohësh pa shumë mundim se PS ka qenë gjithmonë partia që ka lëshuar më shumë, që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi, që asnjëherë nuk e ka konsideruar të pasurin e forcës së pushtetit për të nëpërkëmbur deri në fund kundërshtarin dhe këtu kam parasysh faktet, aktet, ndërveprimet reale konkrete, jo retorikën e foltores këtu. Ne përsëri do ta bëjmë këtë përpjekje sepse e kemi detyrim ndaj vetes në radhë të parë, ndaj njerëzve që na kanë zgjedhur, e kemi detyrim ndaj vendit që t’i japim mundësisht një president i cili nuk duhet të jetë njëri nga ne që jemi këtu, nga ju jo e jo dhe patjetër që kemi një detyrim që sidoqoftë, pavarësisht se jeni në këtë derexhe ku jeni katandisur, do shkoni më keq, se ju e keni parë që më dalin fjalët, ju gjithsesi jeni deputetë, jeni të gjithë të zgjedhur, jeni shprehje e një vullneti, natyrisht ata që ju zgjodhën nuk e dinin se do ua punonit kështu, se po ta dinin do kishin bërë një zgjedhje tjetër, por gjithsesi jeni këtu, jeni një fakt. Kështu që ne do ta bëjmë një përpjekje”, tha Rama.