Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale dëshminë e ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin në Hagë, i cili shprehu kritika ndaj Gjykatës Speciale për paraburgimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Në një postim në rrjetet sociale, krahas dëshmisë së Rubin, kreu i qeverisë shkruan se procesi që po mbahet në Hagë ka njollosur drejtësisë ndërkombëtare.
“LIRIA KA EMËR! Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Për dy ditë me radhë, ish-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka dhënë dëshmitë e tij në procesin që po mbahet në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e shqetëson fakti që ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, pasi siç tha ai janë dorëzuar vullnetarisht.
