Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë të enjte, 1 tetor, në prezantimin e pesë projekteve të paraqitura në kuadër të konkursit ndërkombëtar për rikonceptimin dhe zhvillimin e “Tirana Fountain Tower”.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se projekti synon transformimin e një prej hapësirave historike të kryeqytetit, duke e përshtatur me nevojat dhe ambiciet e Tiranës.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një sipërmarrje private dhe se përzgjedhja e projektit po bëhet përmes një konkursi ndërkombëtar me pjesëmarrjen e arkitektëve dhe profesionistëve të njohur.
“Sot ne rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë, kur vjen puna te zhvillimi i projekteve me rëndësi të veçantë, të cilat tani prej vitesh në Shqipëria, ua besojmë profesionistëve me profile dhe karriera të veçanta, të ndërtimit të objekteve që kanë një impakt me rëndësi për qytetet tona dhe zonat tona. Faktikisht sot ne jemi këtu për të adresuar zhvillimin e një prone ku siç e patë edhe nga filmi në krye të herës, u ngrit një park, dhe më pas po aty u ngrit edhe një ndërtesë. E cila është nga të paktat ndërtesa në kohën e komunizmit.
Ku takoheshin jo për mbledhje, jo për punë, por për të kaluar kohën e lirë. Erdhi koha kur ndenja ulur me shoqërinë, u bë jetë e përditshme e shoqërisë. Tajvani u kthye në një ngrehinë për shumë njerëz dhe shumë shërbime. Objekti kryesor për ata që i administrojnë është që të mbajë sa më shumë njerëz ulur dhe t’i lërë pa punë. Këtu sot jemi për një zhvillim tjetër të asaj godine, për të mundësuar ambiciet e atij qyteti. Jemi praktikisht në një kohë kur nevojat dhe ambiciet janë shumë të mëdha. Ky është një projekt i një sipërmarrje private në një zonë private. Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar, se cila do të jetë mënyra se si do të rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani. Me arkitektët që i janë vënë në dispozicion kësaj zgjedhjeje do të bëjmë më të mirën e mundshme të asaj prone, por edhe të kryeqytetit”, tha Rama.
