Kryeministri Edi Rama ka nisur prezantimin e paketës anti-KÇK, ku në gjashtë vite në qeverisje 2019-tën e quajti vitin më të vështirë për maxhorancën.
“Ky ka qenë viti më i veshtirë i qeverisjes sonë. Shqipëria nuk arriti të çelë negociatat me BE. Ne themel të asaj përpjekje ka qenë frika, frika nga drejtësia. Frika nga drejtësia e lidhur me mundësinë reale të çeljes së negociatave që dihet se vjen një proces ballafaqimi mes vendit kandidat dhe negociatave. Gjithë reforma në drejtësi, gjithë bagazhi ligjor i krijuar në këto vitet e fundit korrespondon me kapacitetet e sistemit të drejtësisë, për të gjykuar pavarësisht statusit social, apo influencës apo forcës të individëve të caktuar. Adresim i korrupsionit deri në nivelet më të larta, kjo ka qenë në themel të gjithë asaj përpjekje që kulmoi me një situatë absurde dhe sureale në procesin zgjedhor”, tha Rama.
Ai prezantoi programin 2-vjeçar të ekonomisë ku tha se edhe pse ka qenë një “vit i vështirë që ka krijuar një nivel të ri pasigurie në raport me të nesërmen dhe çdo ndjesi pasigurie reflekton menjëherë në ekonomi”, ka vazhduar trendi pozitiv i rritjes ekonomike.
