Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Bashkimin Europian, deklaroi se qeveria do të mbështesë sipërmarrjet shqiptare në rrugëtimin e tyre drejt tregut europian.
“Këtu jemi për të ardhmen që nuk ndalet, sepse vjen, dhe për të shkuarën që nuk kthehet sepse ka ikur, pikërisht për t’iu gjendur pranë bizneseve me të ardhmen që po vjen me shpejtësi në mënyrë të pandalshme, që është anëtarësimi në BE. Ne jemi angazhuar në krijimin e këtij programi kombëtar që do ta mbështesim edhe me ekspertizën, që do të angazhojë në funksion të programit ekspertë të mirë informuar dhe mirë të përgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se fokusi kryesor mbetet mbështetja e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si motor i krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik.
“Ne duam që në radhë të parë sipërmarrja e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë sot shansin që, nëse ka kapacitetin e kurajës së mjaftueshme, idenë e qartë për të nesërmen dhe vullnetin e domosdoshëm për ta çuar idenë përpara, të ketë mbështetjen tonë. Mbështetja jonë për këtë kategori është domethënëse, që do të materializohet në ditët e ardhme me hapjen e ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’,” deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, ky program synon të ndihmojë bizneset shqiptare të rriten dhe të përshtaten me ndryshimet që sjell integrimi në tregun e Bashkimit Europian.
