Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka bërë të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Ajo tha se Rama nuk është konsultuar me qeverinë e Kosovës, ndërsa shtoi se nuk kanë nevojë për “shpëtimtarë të vetëofruar”.
“Ne s’kemi si ta shohim për shkak se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë edhe vetë kryeministri Rama, ai nuk është konsultuar me ne. Mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë të gjithë historinë e këtij procesi dhe natyrisht edhe rëndësinë e rrjedhës përpara bazuar në parime. Kryeministri Kurti e përmendi edhe në seancë që pret që më tutje të elaborohet në vizionin, por edhe parimet e draft-statutit dhe jo në kapërcimin e menjëhershëm, ku çështja e draft-statutit të asociacionit kthehet në një çështje pazaresh: një version para të thata dhe versioni tjetër bazuar në parimet e Republikës së Kosovës dhe të gjitha parimet e tjera për të cilat ka dhënë garanci bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA me Bashkimin Evropian. Ne nuk duhet të hyjmë në një proces në të cilin duhet të ndryshojmë versione të draft-statutit, për të përfunduar në një format që të një shteti në të cilin jetojnë komunitete të tjera jo shumicë. Interes qeveria e Kosovës ka që të diskutojë mbi vizionin dhe parimet, ne kemi parë draft-statut megjithëse jo nga Shqipëria. Kemi parë një që u bë nga ekipi menaxhues i mandatit të shkuar. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar që të na ofrojë draft-statutin. Ne kemi nevojë për pronësi dhe elaborim të parimeve në fokus me drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë, me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, tha Lila.