Kryeministri Edi Rama ka komentuar nëpërmjet rrjeteve sociale fjalimin e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, në lidhje me investimet e huaja në Shqipëri.
Në postimin e tij, Rama bëri të ditur se institucionet europiane janë vënë në dijeni të plotë të procedurave që lidhen me projektet në Sazan dhe Zvërnec, duke shtuar se qëndrimi i komisioneres i jep përgjigje të qartë të gjithëve.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”, shkruan Rama.
Një ditë më parë, gjatë një konference shtypi, komisionerja Kos u pyet drejtpërdrejt për çështjen e Zvërnecit dhe sqaroi se Bashkimi Europian ka marrë garanci nga Tirana mbi respektimin e standardeve mjedisore.
“Kemi marrë siguri nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane mjedisore. Ajo që po ndodh ndërsa Shqipëria është në proces anëtarësimi është e rëndësishme. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht i detyrueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë se natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen sipas standardeve evropiane. Sa i përket investimeve të huaja, ato janë të rëndësishme për çdo vend kandidat dhe për shtetet anëtare. Për ne nuk ka rëndësi vetëm origjina e tyre, por nëse zbatohen në përputhje me legjislacionin e BE-së”, deklaroi Kos.
