Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të ardhura nga Prishtina pas deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”, duke e cilësuar këtë reagim si një tregues se qëndrimet e tij ndaj Serbisë dhe Kosovës kanë qenë të sakta.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se e konsideron reagimin e asaj që ai e quan “ushtria e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës” si një lloj testi për qëndrimet e tij politike.
Kryeministri i referohet edhe debatit të fundit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe lidhur me paprekshmërinë e lumit Ibër. Sipas tij, qëndrimi i mbajtur nga Shqipëria ka qenë i qartë kundër çdo provokimi të Serbisë.
Rama thotë se, pavarësisht se ndërhyrja e tij në debat ishte përshëndetur edhe nga deputetja britanike Alicia Kearns, kritikët në Prishtinë janë përqendruar te një fjali e vetme e deklaratës së tij.
Ai e cilëson si “fakt” deklaratën se “Serbia e humbi Kosovën”, duke shtuar se kundërshtimi ndaj tij nga qarqe nacionaliste në Beograd dhe Prishtinë është, sipas tij, një tjetër vlerësim për diplomacinë e Shqipërisë dhe për atë që e quan “Europën e Ballkanit”.
“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës😍 Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal.
Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër👍 Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut🤡
Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit.”, shkruan Rama.
