Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste theksoi sot se në kuadër të fuqizimit të emergjencave civile, Shqipëria po prodhon vetë mjete zjarrfikëse.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama tha se “tani jemi në gjendje të fillojmë të shtojmë flotën e zjarrfikësve, duke i prodhuar zjarrfikëset në Shqipëri me kompaninë tonë publike, të ngritur jo shumë kohë më parë”.
Rama tha se ky është shembulli që shteti të bëhet sa më shumë partner, garant dhe të përftojë sa më shumë.
“Jo vetëm zjarrfikëset, por të gjitha makinat e inspektimeve për shërbime të ndryshme, ne do t’i prodhojmë në Shqipëri. Dhe jo në vitin 2035, por kemi filluar hap pas hapi të bëjmë porositë e para dhe të fillojmë t’i prodhojmë këtu”, theksoi Rama.
Po ashtu, kryeministri bëri të ditur se është angazhuar një fond, i cili do t’i vijë në mbështetje të gjitha bashkive për emergjencat civile, përsëri duke u vënë në dispozicion mjete të reja.
“Jemi afër një sezoni kur fillojnë zjarret, ndaj kemi ndërtuar një strukturë ndryshe për mënyrën sesi do të përballohen pasojat, duke përfshirë brenda Agjencinë e Mbrojtjes Civile, e cila do të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë apo me bashkitë për të bërë ndërhyrje të natyrës infrastrukturore”, shtoi Kryeministri.
