Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, se qeveria shqiptare ka nisur një plan të gjerë investimesh në infrastrukturën portuale, duke përfshirë transformimin e Triportit në Vlorë në një port tregtar modern dhe ndërtimin e katër marinave turistike në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin.
Sipas Ramës, projekti i Triportit në Vlorë synon të ofrojë një port të mirëfilltë tregtar, shumë i munguar për qytetin e Vlorës, duke përmirësuar kapacitetet e transportit dhe tregtisë detare.
Ai theksoi se Marina e Durrësit dhe Marina e Vlorës janë tashmë në proces ndërtimi, ndërsa në Shëngjin është nisur një proces diskutimi me kryetarin e bashkisë dhe një subjekt të njohur europian për realizimin e projektit.
“Këto investime synojnë të zhvillojnë turizmin detar dhe të krijojnë infrastrukturë moderne portuale, duke rritur kapacitetet e vendit për turizëm, transport dhe tregti ndërkombëtare. Projekti i marinave do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave bregdetare”, theksoi Rama.
Sipas Kryeministrit, investimet e reja në portet dhe marinave shqiptare janë pjesë e një strategjie afatgjate për të zgjeruar kapacitetet infrastrukturore, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar Shqipërinë më mirë në rrjetet tregtare dhe turistike rajonale.
Projekti pritet të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja pune dhe forcimin e zhvillimit ekonomik në zonat bregdetare, duke ofruar një standard të lartë shërbimi për transportin tregtar dhe turizmin detar.
