Kryeministri Edi Rama theksoi gjatë një aktiviteti rëndësinë e financimit së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit të të gjithë infrastrukturës mbështetëse të futbollit me fushat e stërvitjes apo fushat e lojës së futbollit për më të vegjlit.
“Në këtë rast nuk kemi problem financimin, por koordinimin me pushtetin vendor për të vënë në dispozicion terrenet e përshtatshme për të mbuluar të gjithë Shqipërinë dhe komunitetet me këtë infrastrukturë të aksesueshme nga të gjithë fëmijët. Kjo është shumë e rëndësishme në gjithë projektin tonë të sportit në shkolla ku me FSHF kemi potencial progresi nëse arrijmë t’i bashkojmë forcat”, shtoi Rama.
Po ashtu, kryeministri u ndal te ambicia për të transformuar sportin dhe futbollin në një mundësi të shtuar për turizmin duke afruar infrastrukturë dhe logjistikë për skuadrat e huaja që stërviten në Shqipëri.
“Korça mund të jetë e para në këtë rrugë të re që të ofrojë mundësi optimale me skuadrat evropiane që kalojnë periudhat përgatitore këtu, duke sjellë vlerë të shtuar ekonomike e financiare për qytetin”,-tha Rama.
