Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se është diskutuar për projektbuxhjetin e vitit 2023, ku tha se qeveria do të vijojë që të këmbënguli tek plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe për biznesin e vogël. Rama u shpreh besimplotë se do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha.
“Uroj të kemi edhe shiun e nevojshëm, pasi duhet që jemi shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje, do të kemi më pak nevojë për të dalë në import. Gjithsesi do të vazhdojmë të dalim, sepse Shqipëria nuk prodhon sa për të mbushur të gjitha nevojat. Jemi shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Sigurisht do të jetë dimër i vështirë, por me masat që kemi marrë besoj që do ta kalojmë më lehtë”.
Teksa shënjestroi PD-në për çështjen e parave ruse, Rama tha se opozita e rublave mban erë, por edhe paralajmëroi se ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur. I pyetur se çfarë di më tepër, Rama nuk pranoi që të komentojë. “Kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër, është e zhytur në thesin e rublave. Është praktikisht fatkeqësi dhe edhe veprimtaria, edhe mënyra sesi vepron, mbajnë erë. Dhe ajo çka dimë, nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama.
Pyetje: Kur e morët mandatin thatë që nuk kishit kohë të humbisnit me kundërshtarët ndërkohë që lajmëruat se pjesë e diskutimit me qytetarët do të jetë edhe opozita.
Edi Rama: Nuk është çështja e pjesë e diskutimit të qytetarëve do të jetë edhe opozita, çështja është që në këtë epokë kërcënimi të madh kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga gjithë ky kontekst kërcënues dhe kur na duhet të përballemi me pasojat e diçkaje që është jashtë nesh dhe që vjen edhe tek ne njësoj siç erdhi tërmeti, njësoj siç erdhi pandemia, na duhet të jemi sa më të qartë, sa më të vendosur, sa më të bashkuar dhe sa më të lidhur me partnerë dhe me aleatë të fuqishëm. Sigurisht që do të ishte mirë të kishim një opozitë që do të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave. Është fatkeqësi dhe edhe veprimtaria edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur.
