Në kuadër të vizitës në Bruksel, kryeministri Edi Rama u prit këtë të martë nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Dje Rama zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje nga takimi, teksa theksoi se de-eskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.
“Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.