Është mbajtur sot në Tiranë takimi i parë i organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”. Kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa e vlerësoi atë si një mendimtar të madh shqiptar, theksoi se Gjuha Shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese.
“Nga ky podium është i shkruar emri i një prej shqiptarëve më të mëdhenj që kanë jetuar në tokat e banuara nga shqiptarët. Tani këtu si me dorë futet edhe tema e Gjuhës Shqipe. Unë mendoj që çka Shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut, nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është një çështje e ligjeve. Është vërtetë kënaqësi e posaçme për mua, sa herë Ali Ahmeti vjen në Tiranë. Kur Aliu vjen këtu unë nuk ka nevojë ta pyes, Aliu vetëm flet. Dhe është inspirimi që i sjell baza më e madhe ilegale e Luftës Çlirimtare Tirana, kështu ka qenë apo jo?! Tani mund ta themi, megjithëse kohë të vështira janë dhe nuk dihet se si na e marrin pastaj. Ndonjëherë vjen historia që sjell kënga: Mora pushkën dola malit, të luftoja për atdhe, ku ta dija unë i shkreti se armiku ishim ne”, tha mes të tjerash Rama.