Përfundon sot regjistrimi i fazës së fundit të fituesve të përzgjedhur gjatë raundit të dytë të pranimeve në universitete për vitin e ri akademik 2021-2022. Sikundër ndodhi edhe në raundin e shkuar, fituesit që janë regjistruar tashmë në degën ku janë shpallur fitues do të mund të bëjnë ndryshimin e saj për të konkuruar për një tjetër degë më të preferuar gjatë aplikimeve që do të zhvillohen për raundin e tretë dhe të fundit të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend.
Për të bërë ndryshimin e degës, ju duhet që më parë të bëni procesin e çregjistrimit pranë fakultetit në të cilin jeni pranuar. Kështu, çdo kandidat pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse, ka të drejtë të çregjistrohet në datat 10-11 tetor duke paraqitur të plotësuar një kërkesë për çregjistrim, teksa do të mund të tërheqë edhe dokumentet e dorëzuara.
Nëse nuk e kryeni këtë veprim brenda këtij afati të përcaktuar, ju nuk mund të ndryshoni programin e studimeve, çka do të thotë se për këtë vit mund të vijoni studimet e larta vetëm në këtë degë ku jeni regjistruar gjatë raundit të dytë, duke humbur shansin për të aplikuar sërish në garën e pranimeve për kuotat e raundit të tretë. Sekretaritë mësimore të secilit fakultet, pas çregjistrimit të aplikantëve dhe dorëzimit të dokumentacionit, i dërgojnë Qendrës së Shërbimeve të Arsimit listën e kandidatëve të çregjistruar, duke i pasqyruar në sistemin online të dhënat e tyre. Vetëm pasi të kenë ndjekur këtë procedurë, këta kandidatë mund të vijojnë konkurrimin nga e para për kuotat e raundit të tretë të pranimeve.
