Fabula mund të jetë ndër zhanret e letërsisë ku mund të shprehet më së miri reagimi qytetar përmes një veshjeje të hollë artistike. Shprehja e realitetit me një dozë humori, e ku mesazhet morale jepen përmes kafshëve është një alegori ku çdo lexues përmes dukurive negative përpiqet të shohë një realitet të shëndoshë.
Për shkrimtarin Fatmir Gjestila fabula është një detyrë, një mision që duhet kryer me përkujdesje artistike dhe shoqërore.
Së fundmi ai ka sjellë një cikël të re fabulash ku mesazhet morale fokusohen tek politika dhe në një intervistë për tirananews.al shkrimtari thotë se realitetit shqiptar shfaqet i politizuar skajshmërisht.
Z. Gjestila ju jeni mjaft aktiv prej vitesh tashmë në lëmin e letërsisë, të fokusuar më tepër tek fabula, dhe pse nuk keni lënë pas as zhanret e tjera. Kafshët fitojnë vlerën e simbolikes se tyre si përfaqësues te një virtyti njerëzor ose një vesi. Mendoni se mesazhet morale barten më së miri nga personazhet kafshë?
Që herët, në fëmijëri, duke mos patur një këshillues të mirë për librin, lexoja i etur gjithçka që më binte në duar: tregime, përralla, poezi, fabula, romane për fëmijë e të rritur si edhe libra joartistikë. Mbase kjo bëri që me fabulën të takohem herët, pasi mendoj se një këshillues nuk do të më drejtonte aq shpejt te kjo gjini.
Fabulën fillimisht e kam gjetur te Çajupi, si përshtatje dhe si krijim. Çajupi, i cilësuar me të dejtë si “i pari modern i poezisë shqipe”, më çoi të kërkoj fabulën te La Fonteni. Që atëherë, kërkoja dhe blija çdo vëllim me fabula që botohej. Por fabulën, në vitet e arsimimit të mesëm e gjeja edhe duke lexuar Nonda Bulkën, Spiro Çomorën, Gjikë Kurtiqin, Dritero Agollin e më vonë fabulistët Ferit Lamaj e Vangjush Saro.
Përgjatë kësaj kohe, por edhe më pas kur shkrova fabulat e para, ndjeva se fabula është një gjini jo aq e lehtë, siç mund të mendojnë. Nuk mjafton vetëm që personazhet të jenë kafshë dhe të flasin e tregojnë me gjuhën e autorit. Më shumë se kaq ajo duhet të fshikullojë artistikisht vese, dukuri dhe përshfaqje negative të jetës njerëzore, të japin mesazhe të qarta e larg moralizimeve.
Për sa u përket personazheve-kafshë, mendoj se bota e tyre është shumë më e gjerë, më e pandijueshme dhe e papërceptueshme se sa ajo e përshfaqur nga sjellja e tyre në vetmi e në grup, por edhe ndaj nesh, njerëzve. Ndaj, më shumë se përshfaqja e sjelljes së kafshëve, thirrmave dhe ragimeve të tyre, ato janë “mbështetje” për t’u shprehur me aludime, tërthorazi, pra për t’u shprehur alegorisht dhe jo për të identifikuar vesin a dukurinë negative me kafshën-personazh.
Së fundmi ju keni botuar një cikël të ri fabulash. Sjell ndërmend ato si “Kupon”, “Zgjedhje”, “Lepur”, “I pavarur”, etj. Si e shihni realitetin shqiptar me syrin e fabulistit?
Mbase edhe ju, tërthorazi, me nënvizimin e titujve të fabulave, jeni në një mendje me mua për të pohuar se realiteti shqiptar i këtyre afër tridhjetë viteve, më shumë se kurrë, ka afruar mundësi të shumta gjetjesh fabulistike. Kuptohet, nuk është i gjithi një realitet i dëshiruar, ndaj dhe syri e mendja e fabulistit, duke stigmatizuar dukuri negative, kërkon të shikojë përgjithësisht një realitet më të shëndoshë, gjithsesi.
Të gjithë e ndjejmë jetën e përditshme dhe të gjithë në një mënyrë a në një tjetër reagojnë. Fabula, veç të tjerash është një reagim qytetar me veshje të hollë artistike. Deri diku, herë-herë, fabula të thërret si në një detyrë, në një mison, por që duhet kryer me përkujdesje artistike dhe shoqërore. Gjatë leximit ajo, veç të tjerash, duhet të përcjell edhe ndjenjën e humorit e të buzëqeshjes. Reagimi im në fabulat e viteve të fundit është më shumë për veprime e dukuri negative të sjelljes politike, institucionale e qytetare etj. Në ndonjë rast, gjatë publikimeve, sidomos në Facebook, të fabulave me natyrë të tillë, më ka ndodhur të marr komente disi përçmuese e ironizuese, madje duke më vënë herë në të djathtë e herë në të majtë të kahjes politike. Ky reagim provon se fabula, përveçse nuk është e lehtë të shkruhet, nuk është e lehtë as të lexohet e të pranohet nga disa. Duket se, herë-herë, realitetit shqiptar shfaqet i politizuar skajshmërisht e, në këto raste, gjithë alegoria e fabulës merret si e drejpërdrejtë nga militantë partiakë, madje edhe nga drejtues të niveleve të ndryshme. Në këto raste ndjen njëfarë presioni dhe, për pasojë, disa fabula rrinë mënjanë për t’u printuar vetëm në faqet e librit të ardhshëm.
Pandemia e koronavirusit ka nxjerrë në pah një sërë shfaqjesh të reja negative. Sa ka ndikuar ky realitet i ri në krijimtarinë tuaj?
Herë si pyetje e herë si interesim për çfarë po shkruaj në këto ditë të pazakonta, edhe nga miq e lexues të mi kam marrë një “ngacmim” kësisoj. Ka qenë një pyetje e natyrshme, por përgjigja ka qenë e vështirë. Veç të tjerash, kam kërkuar që fabulat e mia të përcillen edhe me nuanca humori, ndërkohë që realiteti i ditëve të sotme me praninë e Covid-19 është vërtet i trishtë. Ndërkohë që ai është një kërcënim i jetës dhe kufizim stresues i lirive tona, sjellja jonë individuale dhe shoqërore ndaj tij nuk është në lartësinë e duhur. Jo se fabulën nuk mund ta gjesh këtu, por për mua ka qenë e vështirë të pranoj në vetvete të publikoj fabula me tematikë të tillë.
Ndërkohë, në këto muaj kam punuar shumë me librat e mi për fëmijë: ripunime për ribotime dhe botime të reja, siç qe botimi i para disa javëve i romanit “Briri i Artë Shndërrues”. Gjithashtu po përgatit për botim vëllimin me fabula “Parlament” dhe vëllimin e tretë poetik për të rritur.
Krahas fabulave për të rritur ju jeni krijues dhe i fabulave për fëmijë, libra të cilat janë ribotuar disa herë. A do kemi një cikël të ri për fëmijët?
Përkundrejt leximit me kënaqësi e qëllim të fabulës nga autorë shqiptarë e të huaj, fabulat e para i botova në vitin 2001 e në vazhdim për revistën “Humor e Satirë”. Më pas botova në disa gazeta e revista me orientim letrar dhe dola para lexuesit edhe me vëllimet “Edhe të qeshim”, “Nuk të fal drejtor Ujku”, “Lule dhe nektar”, “Vallja e numrave”, “Nori dhe Matematika”, “Arta kukulla ime”.
Librat me fabula për fëmijë “Lule dhe nektar” dhe “Vallja e numrave” po ripunohet për ribotimin e dytë e të tretë, ndërsa ende nuk mund të flas për botimin e shpejtë të një libër të ri me fabula për fëmijë. Duke qenë se një numër i mirë fabulash për fëmijë po rishikohen me kujdes, besoj se në pranverën e vitit që vjen do të kem gati për botim vëllimin e shtatë.
Faleminderit dhe suksese ne punen dhe krijimtarine tuaj!
Qe vërtet kënaqësi të komunikoj me tirananews përmes jush duke u munduar të jap këto përgjigje të thjeshta. Gjithashtu, uroj për tirananews suksese dhe përcjellje të të vërtetave që na bëjnë mirë. Kësisoj, duke u interesuar edhe për autorë e libra për fëmijë, ju ndihmoni bindshëm në shtimin e interesit e dëshirës për librin dhe leximin. Faleminderit!
FABULAT E REJA TE FATMIR GJESTILA
USH
Buzëbardhi,
tmerr e frikë,
Çirret, pllet… kërkon replikë.
-Po ky, ç’ka?
Përse tund vendin?!
S’ia përmendi askush emrin.
Emrin jo,
s’ia tha askush,
por gjith’ salla thirri “USH!”
ZGJEDHJE
Banorët e pyllit
sot paskan zgjedhje:
Cjapi pranë kutisë
diç bluan në mendje.
Lepuri lehtë e nduku:
Ç’mendohesh, lum Cjapi?
Po nuk fitoi Ujku
do të fitojë Kasapi…
KUPON
Keni parë a s’keni parë,
një ujk hedh qengjin në shpinë;
rend e rend si i shkarë:
i gjithë pylli tjerr çudinë.
Fjalën thumb zonja e vjetër:
Sa e bleve, kumbarziu?
Nuk pagova hiç, moj dhelpër,
se s’më dha kupon bariu!
ZGJEDHJE
Fushatë zgjedhjesh….Ç’gëzim e këngë!
Përvesh kanguri buzë edhe mëngë.
Lepujt veshët, bigë, përpjetë:
Ky, or mik vjen me kuletë!
Ia pret dhelpra:- Ç’fat, për besë!
Nën bark paska edhe një thes.
Qesh iriqi, nën gëmushë:
S’vjen ta zbrazë, vjen që ta mbushë!
I PAVARUR
Kjo lojë është e pistë…
Unë të mos jem në listë?!
Kacadreni më nuk fal:
I pavarur do të dal!
Pyet gjinkalla, me të tallur:
Gjer tani, ku ishe varur?
LEPUR
Ujku ndizet, thërret fort:
– Kush s’ma jep votën sot
nesër pyllin s’e kullot!
Pshurret lepuri, tmerr në sy:
– Si t’ia bëjmë po s’fitoi ky?
– S’fitoi ky? Një tjetër vjen
prapëseprapë lepur të gjen.
MJELMA MITINGASHE
Mësuese Mjelma mitingashe,
ngjyer, lyer buzë e faqe.
– Pa shiko, more bilbil
dhe fustanin krejt jeshil!
– E ndërroi te Pyll’ i Vjetër,
se fitoi Parti’ e Gjelbër!