Samiti i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, me shumë gjasa do të mbahet pa pjesëmarrjen e vetë liderëve nga Ballkani Perëndimor. Takimi i së enjtes do të mbahet pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit europian ku do të diskutohet sërish çështja e nisjes zyrtare të bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin, të bllokuara nga Bullgaria.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dje bëri me dije se ka komunikuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe me atë të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me mospjesëmarrjen në këtë Samit, pasi ata ndihen të zhgënjyer nga mënyra sesi po vepron BE në lidhje me negociatat e anëtarësimit.
Rama bëri të ditur se kishte patur një bashkëbisedime të gjatë me udhëheqësit e dy vendeve të tjera ballkanike. “Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i marrë peng nga Bullgaria, nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë të bëjmë atje?!”.
Por ky hezitim mund të lidhet edhe me një sinjal që këto 3 shtete duan të japin dhe që është nisma rajonale “Open Balkan”, që BE duket sikur nuk e miraton aq shumë.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka thënë më herët se udhëheqësit e Ballkanit janë të ftuar të takohen me krerët e vendeve të Bashkimit Europian, por procesi i integrimit po has pengesa të vijueshme, dhe Brukseli duket se po eksploron mënyra të tjera alternative për t’i mbajtur pranë vendet e rajonit.
Ndaj dhe Rama, Vuçiç dhe Dimitar Kovaçevski sot do tregojnë se ata më mirë janë me “Open Balkan”, sesa pjesë e një valleje të BE-së që ka nisur dhe fundi nuk shihet kërkund. Vitet e fundit Bashkimi Europian është bërë shumë i ngurtë dhe këtë e thotë edhe Gjermania.
“BE duhet të bëjë të besueshëm formulën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe të shpërblejë shtetet që plotësojnë kushtet”, tha i dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin. Opozita në Shqipëri, thote edhe se refuzimi publik i ftesës akti antieuropian është shumë i dëmshëm për Shqipërinë e më gjerë, por që në fakt edhe PD-ja ka peshën e saj të përgjegjësisë për moshapjen e negociatave.
/R.SH/