Reçeli i fikut mbetet një nga llojet më të shijshme të reçelrave në përgjithësi. E shijshme dhe plot ëmbëlsi, reçeli i fikut mbetet më i konsumuari nga shumë persona, sidomos një shoqërues i mirë i mëngjeseve.
E bërë në shtëpi, ajo merr një shije krejt tjetër dhe që fëmijët tuaj do ta kërkojnë sërish e sërish. Por si ta përgatisim atëherë?
Përbërësit:
1 kilogram fiq të pjekur
pak lëng limoni
500 gramë sheqer i bardhë
Përgatitja:
Fillimisht presim fiqtë në copa të vogla. Pasi i kemi hedhur në një tenxhere të madhe dhe të bollshme, shtojmë sheqerin dhe më pas lëngun e limonit. Mirëpo, kur të vendoset në zjarr, nuk duhet lënë në temperatura të lartë në mënyrë që të mos ngjisë.
Nuk ka një minutazh të caktuar se sa do lihen në zjarr por e këshillueshme është që të shikohet herë pas here nëse masa që ndodhet në tenxhere është zbutur.
Një tjetër këshillë që do të bënte punë për këtë rast është edhe qëndrimi gjatë gjithë kohës afër sobës në mënyrë që ta trazoni sa më shpesh. Mund të merrni një pirun për të përzier dhe shtypur kokrrat të cilat mund të mos jenë tretur.
Kështu do të përfitoni një masë të ëmbël dhe të njëjtrajtshme gjithashtu.
Masa duhet të jetë uniforme dhe pak e lëngshme. Më pas, përzierja e nxehtë duhet të hidhet në kavanozë të sterilizuar. Këto të fundit duhet të ftohen në mënyrë sa më natyrale.