Keku me kungull të verdhë është ndoshta ëmbëlsira më e mirë që duhet përgatitur patjetër gjatë stinës së vjeshtës.
Përgatitja e Kekut me Kungull
Përbërësit:
300 gr kungull të verdhë të stinës, 250 gr miell gruri, 3 kokrra vezë, 1 pako e vogël me gjalpë, 150 gr sheqer, 50 gr niseshte, 10 gr maja për ëmbëlsira.
Përgatitja:
- Si fillim, nisni me pastrimin e kungullit nga lëkura e më pas nga farat.
- Tulin e përftuar në masën e përcaktuar më sipër prijeni në kubikë të vegjël.
- Kubikët e kungullit hidhini në një tigan, skuqini me pak gjalpë nga të dyja anët.
- Më pas vendosini në një tas dhe kalojini në mikser ku do të përftoni një masë si brumë.
- Në vijim, ndani të bardhat nga të verdhat e vezëve.
- Rrihni si fillim të bardhat e vezëve derisa të krijohet një masë e fryrë e palëvizshme.
- Më pas shtoni sheqerin dhe vijoni të rrihni masën, dhe më pas shtoni të verdhat e vezëve duke vijuar t’i përzieni.
- Shtoni gjalpin e tretur dhe vijoni t’i përzjeni, shtoni masën e kungullit të grirë dhe përziejini.
- Më pas, shtoni miellin, majanë për ëmbëlsira dhe niseshtenë.
- I përzjejmë të gjitha në mikser për disa minuta derisa brumi të bëhet i njëtrajtshëm.
- Më pas, lyejmë një tepsi me gjalpë, hedhim brumin aty dhe e fusim të piqet në furrë me 180 gradë përreth 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë, të kuqërremtë.
- Keku me kungull shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me çajra të ndryshëm, kafe por edhe me lëngje frutash.
- Është fantastik për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, madje është një zgjidhje ideale për mëngjes por edhe për vaktet midis apo pas drekës a darkës.
