Farmacistja dhe biologia Kozeta Hoxha e ftuar në ABC News ndau me publikun fuqinë shëruese të bimëve mjekësore në përballimin e stinës së virozave, ankthit dhe pagjumësisë.
Hoxha solli receta të thjeshta, efektive dhe 100% natyrale për të ndihmuar trupin të përballet me sfidat që sjell stina e vjeshtës, pa kimikate dhe pa efekte anësore.
Fara e lirit – “ari” për kollën dhe traktin respirator
Një ndër rekomandimet më të spikatura ishte përdorimi i farave të lirit, të cilat, sipas Hoxhës, kanë veti zbutëse, qetësuese dhe mbrojtëse për rrugët e frymëmarrjes:
“Mjafton të zieni një lugë fara liri në 250 ml ujë deri sa të trashet lëngu, ta lini të kullojë dhe ta ëmbëlsoni me mjaltë dhe pak limon. Konsumoni dy lugë në mëngjes dhe dy në darkë,” – tha ajo, duke theksuar efektin qetësues që ka ky përbërje për kollën e thatë.
Gjithashtu, ajo sugjeroi kompresat me miell fara liri, një alternativë praktike për të holluar mukusin dhe për të qetësuar kongjestionin e gjoksit apo të fytit. “Ziejini me ujë, ftohini pak, vendosini në një leckë dhe aplikojini në zonat e nevojshme – ndihmojnë në lehtësimin e frymëmarrjes,” – tha Kozeta.
Lulja e pasionit – kundër ankthit, pagjumësisë etj
Një tjetër bimë me vlera të jashtëzakonshme është lulja e pasionit (passiflora). Farmacitja Hoxha theksoi efektet e saj të fuqishme në uljen e ankthit, rregullimin e ritmit të zemrës dhe përmirësimin e gjumit.
“Në një filxhan hidhni gjethe ose lule të thara, shtoni ujë të vluar dhe lëreni për 20 minuta. Pini çajin 30 minuta para gjumit dhe do bëni një gjumë të qetë e të thellë,” – sugjeroi ajo.
Kjo bimë është gjithashtu e dobishme për ata që duan të humbasin peshë, pasi ndihmon në qetësimin e sistemit nervor dhe uljen e dëshirës për ushqim emocional.
