Tiramisu është një ëmbëlsirë elegante ndër më të njohurat në gjithë botën. Variantet e kësaj ëmbëlsire janë të shumta, por receta klasike mbetet ende më e përdorura.
Receta klasike e Tiramisu-së nga Renato Mekolli
Përbërësit:
2 vezë, 100 gr sheqer, 100 ml pana, 250 gr mascarpone, 150 gr biskota per tiramisù, 100 ml kafe e përgatitur (Nescafe), 10 gr kakao pluhur.
Udhëzimet:
1. Vendosim në një enë vezët dhe sheqerin. I përziejmë me mikser dore derisa masa të fryhet e të bëhet homogjene e kremoze.
2. Në një enë tjetër vendosim panën dhe e pëziejmë pak me mikserin. E lëmë në frigorifer që të pushojë.
3. Marrim masën e përgatitur më parë me vezë dhe sheqer dhe i shtojmë maskarponen. E përziejmë me një spatul nga poshtë-lartë me kujdes që të mos shfryhet veza.
4. Kur masa të jetë bërë krem mund ta bashkojmë me panën. Në këtë mënyrë përgatisim kremin e tiramisù-së.
5. Marrim 4 gota dhe vendosim pak krem poshtë. Biskotën e lyejmë me kafen Nescafe, e vendosim sipër kremit të tiramisù-së dhe shtojmë pak kakao të situr. Vendosim sërish krem sipër dhe biskotë tjetër të zbutur me kafe.
6. Përsërisim të njëjtin hap dhe më pas i vendosim në frigorifer për 1 orë që të mpiksen. Pas 1 ore mund t’i shërbejmë dhe shijojmë.