Në kuadër të reformës së pagave, kryeministri Edi Rama këtë të premte ka bërë me dije se pagat e reja janë frut edhe i rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë. Përmes një postimi në Facebook, Rama solli shembullin e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare Ilda Nako, paga e së cilës, në maj 2023 shkon në 83,000 lekë dhe në vitin 2024 shkon në 128,400 lekë.
Kreu i qeverisë po ashtu thekson edhe se pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024.
“Kjo është frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale”, tha Rama.
Rama pohon se kjo është rezultat i lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana.
