Kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur interesit të gazetarëve pas takimit me Kryetarin e Parlamentit te Austrise Vvolfgang Sobotka.
Ai tha se fakti që kërkohet shtyrja e afatit për reformën zgjedhore tregon mungesë vullneti nga Partia Socialiste.
Më poshtë pyetje përgjigje e z. Basha:
Pyetje: Keni lançuar një platformë që tejkalon reformën zgjedhore dhe duket se prek thellësisht edhe kushtetutën. A mendoni se kjo mund të aplikohet në zgjedhjet më të afërta politike?
Lulzim Basha: Objektivi kryesor i PD, i opozitës dhe qytetarëve shqiptarë është t’i japim fund kësaj krize politike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zgjedhjet legjitime vendore janë rruga për ta bërë këtë dhe ne duam që kjo të ndodhë një orë e më parë, por, sigurisht, me standarte, për t’u siguruar shqiptarëve votën e lirë. Propozimet e tjera që unë kam parashtruar janë propozime, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e kontrollit dhe balancave dhe rikthimin tek qytetarët të pushtetit që sot u është vjedhur nga ky pushtet dhe nga bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën.
Pyetje: Zoti Basha, ka një perceptim se duke u perqendruar tek çështje teknike, duket se po lihet mënjanë nga ana e PD objektivi politik për largimin e Ramës dhe i zgjedhjeve pa Edi Ramën.
Lulzim Basha: Ruajtja e vullnetit të qytetarëve, dhënia fund e shitblerjes së votave nuk është objektiv teknik është objektiv politik. Zbatimi i rregullave zgjedhore ekzistuese apo të reformuara, përmes një qeverie kujdestare pa Edi Ramën kryeministër, nuk është objektiv teknik, është objektiv politik. Nuk është objektiv thjesht i një partie. Është rruga për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve atë që u ka vjedhur ky pushtet i dalë nga bashkëpunimi i PS me krimin e organizuar.
Pyetje: Propozimi juaj mund të diskutohet përtej 15 Marsit, si një datë e vendosur për miratimin e reformës zgjedhore?
Lulzim Basha: Fokusimi tek shtyrja e datës 15 mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e PS. Këtu nuk kam gjë tjetër për të shtuar veç t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.