Ditën e nesërme, në orën 18:00 përfaqësuesja shqiptare do të përballet me Gjeorgjinë në stadiumin kombëtar “Air Albania” për të zhvilluar mes tyre miqësoren e dytë dhe të fundit të këtij grumbullimi.
Teksa doli në një konferencë për shtyp për të folur për këtë takim, trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja nuk la pa përmendur edhe humbjen me kombëtaren iberike, ndërsa u shpreh besimplotë se me ndihmën e tifozëve do i’a dalin të fitojnë kundër Gjeorgjisë.
“Nuk është se kam ndonjë mesazh për tifozët sepse ata gjithmonë na kanë mbështetur dhe kanë qenë gjithmonë aty për ne. Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës.
Paraqitja ka qenë pozitive, ka pasur shumë entuziazëm nga ana jonë. Spanja është një ekip që është favorite për të fituar Botërorin dhe e kemi parasysh që me çfarë rivali jemi përballur.
Loja më ka pëlqyer, e vetmja gjë që më vjen keq është se pësuam atë golin në minutën e 90-të. Një barazim do të ishte një rezultat që do të na bënte shumë mirë në aspektin moral”, u shpreh tekniku Reja.
