Edi Reja, trajneri i përfaqësueses shqiptare, është i bindur se skuadra e Napolit do të arrijë të kualifikohet në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm dhe do ta mbyllë këtë edicion mes katër të parëve në Itali. Në një intervistë në mediat italiane, ai analizoi arsyet e këtij suksesi të napolitanëve, duke futur mes meritave kryesore padyshim trajnerin Gatuzo, por edhe Elseid Hysajn.
“Mendoj se nuk do të ketë probleme të arrijë në Ligën e Kampioneve. Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh, por e shoh që ka avantazh në krahasim me të tjerët, ka kalendarin më të thjeshtë. Tani varet gjithçka prej tyre. Ata dhe Atalanta janë skuadra që kanë formë më të mirë dhe në sprint. Duke njohur Gatuzon nga pikëpamja e karakterit, do të dijë të mbajë lart vëmendjen. Ka rikuperuar Osimhen, i cili në hapësirë është shkatërrimtar, por ka në dispozicion një ekip të kompletuar dhe me shumë cilësi. Unë e kisha vendosur Napolin mes pretendentëve për titull, pa dëmtimet dhe COVID do të kishte luftuar me Interin.
Nëse e sheh Napolin e sotëm, disa merita janë të Gatuzos, i është dashur pak kohë për të gjetur zgjidhjet dhe ekuilibrin e duhur, por ia doli në fund. Nëse luan me skuadra në nivelin tënd, mund të luash edhe me Fabian e Bakajoko. Pastaj ka gjetur një ekuilibër të jashtëzakonshëm edhe falë aftësive mbrojtëse të Hysajt, Zgjidhja me Deme e Bakajoko mua më pëlqen shumë”, tha Reja.
